Instituti për Drejtësi, Edukim dhe Avancim (IDEA) ka prezantuar raportin e parë hulumtues të projektit “Indeksi i Sigurisë në Shkolla”, një analizë e detajuar mbi situatën e sigurisë në institucionet edukativo-arsimore në Kosovë. Projekti është përkrahur nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe synon krijimin e një indeksi gjithëpërfshirës për të matur dhe përmirësuar sigurinë në shkolla në tërë territorin e vendit.
Hulumtuesi Leart Hoxha preznatoi raportin e fazës së parë të mbështetur në hulumtime dhe analiza të periudhës 2022–2024, duke përfshirë të dhëna nga MASHTI, Policia e Kosovës, Prokuroria dhe burime të tjera.
Sipas Hoxhës, ky raport identifikon sfida të shumta në fushën e sigurisë në shkolla, përfshirë:
- Infrastrukturë të pamjaftueshme fizike dhe elektronike për siguri.
- Rritje të rasteve të dhunës dhe bullizmit, përfshirë format online.
- Incidentet e fundit të vetëlëndimeve të nxënësve të nxitura nga sfida në rrjetin social TikTok.
- Mangësi në protokollet e raportimit dhe evidentimit të dhunës në shkolla.
- Mospërfshirje të mjaftueshme të fëmijëve nga komunitetet jo-shumicë në arsimin parashkollor.
- Nevoja për më shumë mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara, ku mungojnë asistentët e premtuar.
Raporti vë në pah gjithashtu dallimet në perceptimet e sigurisë midis nxënësve dhe të rriturve. Edhe pse bullizmi shihet si shqetësim më i vogël në anketat publike, të dhënat e drejtpërdrejta nga nxënësit tregojnë se ai është shumë i pranishëm, sidomos në platformat online.
Instituti IDEA thekson rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse në menaxhimin e sigurisë, duke përfshirë përmirësime infrastrukturore, rregullore të qarta komunale dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional. Po ashtu, IDEA rekomandon forcimin e mekanizmave të raportimit dhe transparencës për të siguruar një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për nxënësit dhe stafin arsimor.
Në prezantimin e raportit, përfaqësues të institucioneve vendore theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe të masave konkrete për rritjen e sigurisë në shkolla:
Nga Policia e Kosovës, z. Ramadan Ahmeti theksoi se policia është aktive me fushata dhe veprime për sigurinë e nxënësve në varësi të gjendjes së sigurisë, duke ofruar prezencë në dhe përreth shkollave sipas kompetencave ligjore. Ai potencoi se siguria avancohet vetëm përmes bashkëpunimit të tërë komunitetit. Ahmeti ndau edhe statistika të fundit: gjatë vitit 2024 janë shënuar 577 incidente në shkolla, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë raportuar 305 incidente në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, z. Samir Shahini, tha se Drejtoria mbetet e angazhuar për të shtuar sigurinë, duke përmendur edhe realizimin e mësimit tërë ditor dhe formimin e policisë së kryeqytetit që pritet të ndihmojë në këtë drejtim. Ai theksoi se Komuna e Prishtinës ka edhe një Drejtori për Siguri dhe Emergjenca që ka të hartuar një strategji të veçantë për sigurinë në shkolla.
Drejtori i DKA-së në Drenas, z. Muhamet Gjoka, tha se në të gjitha shkollat e komunës së Drenasit tashmë janë instaluar kamera të sigurisë dhe monitorimit në përputhje me ligjin për privatësinë. Megjithatë, sipas raportit të IDEA-s, instalimi i kamerave të sigurisë ka pasur ngecje në më shumë se gjysmën e komunave në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Drejtori i DKA-së në Gjilan, z. Shpend Nuhiu, theksoi se kampuset e shkollave në Gjilan ofrojnë mundësi për siguri më të avancuar për nxënësit, falë infrastrukturës ekzistuese.
Drejtori i SHML “Sami Frashëri” në Prishtinë, z. Betim Sylejmani, ndau shembuj të metodave inovative që kanë aplikuar në shkollë për të mbajtur nxënësit brenda gjatë pauzave më të gjata, duke siguruar që ata të mund të ushqehen dhe të relaksohen brenda ambienteve të shkollës.
Projekti do të vazhdojë me fazat e ardhshme me qëllim final ndërtimin e një Indeksi Kombëtar të Sigurisë në Shkolla, që do të ndihmojë në planifikimin e politikave dhe masave konkrete për garantimin e të drejtës për arsim cilësor dhe të sigurt për të gjithë fëmijët në Kosovë.