Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në Kosovë janë mbi 280 mijë nxënës të regjistruar në institucionet parauniversitare publike dhe private.Shifra të ngjashme raportohen edhe në regjistrimin e popullsisë të viti 2024, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Edhe pse kohëve të fundit ka rënie të numrit të nxënësve në vise rurale të komunave të caktuara për shkak të migrimit dhe të tkurrjes së numrit të popullsisë, numri i nxënësve në nivel vendi pritet të jetë stabil edhe për disa vite për shkak të shtimit të numrit të nxënësve në qendra urbane dhe shifrave të popullatës në tërësi.
Instituti për Drejtësi, Edukim dhe Avancim (IDEA) ka filluar me projektin: “Indeksi i Sigurisë në Shkolla”, i cili është i ndarë në tri faza. Në kuadër të Fazës së Parë, projekti “Indeksi i Sigurisë në Shkolla” është përkrahur nga Zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës. Në këtë fazë të projektit, Instituti IDEA ka filluar me monitorimin e sigurisë në shkolla në bazë të hulumtimit të të dhënave dhe kuadrit ligjore dhe rregullativ.
Siguria në shkolla nënkupton krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt fizikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht për të gjithë nxënësit, stafin dhe vizitorët. Ajo përfshin masat dhe praktikat që synojnë parandalimin e dhunës, aksidenteve, kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme, si dhe garantimin e mirëqenies së përgjithshme për një proces të qetë edukativ. Siguria në shkolla është e rëndësishme për të garantuar një mjedis të qetë, ku nxënësit mund të mësojnë dhe të zhvillohen pa u ndjerë të kërcënuar.
Për më shumë: Indeksi i Sigurisë në shkolla_compressed