Prishtinë, 15 Gusht 2025 – Instituti për Drejtësi, Edukim dhe Avancim (IDEA) shpreh tronditje dhe shqetësim të thellë lidhur me rastin e dhunës brutale të ushtruar ndaj një të miture nga bashkëmoshataret e saj në Gjilan, pamjet e së cilës janë shpërndarë gjerësisht duke tronditur opinionin publik. Ky akt barbar, i ndodhur në një objekt të pabanuar në Gjilan, ku viktima është rrahur dhe keqtrajtuar në mënyrë të pamëshirshme, përbën një cenim flagrant të të drejtave themelore të fëmijës dhe një sinjal alarmues për shëndetin e shoqërisë sonë.
Instituti IDEA dënon ashpër këtë akt të paprecedentë të dhunës dhe i shpreh mbështetje të plotë viktimës dhe familjes së saj në këto momente të vështira. Ne kërkojmë nga organet e rendit dhe drejtësisë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Gjilan, që të trajtojnë rastin me urgjencë dhe seriozitetin maksimal. Është thelbësore që hetimet të zhvillohen në mënyrë të shpejtë, të pavarur dhe gjithëpërfshirëse, duke vënë para përgjegjësisë ligjore të gjitha personat e përfshirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të mitur.
Rasti i Gjilanit nuk duhet të shihet si një incident i izoluar, por si një problem më i gjerë dhe thellësisht shqetësues – atë të dhunës mes bashkëmoshatarëve (bullizmit), i cili po gjen shtrirje të rrezikshme në mjediset tona shkollore dhe jashtë tyre. Pamjet e publikuara dëshmojnë për një shkallë të lartë të agresivitetit dhe mungesës së ndjeshmërisë tek të rinjtë, çka duhet të na bëjë të reflektojmë si shoqëri për shkaqet që ushqejnë këtë dhunë.
Prandaj, Instituti për Drejtësi, Edukim dhe Avancim u bën thirrje të gjithë akterëve relevantë për një mobilizim të përgjithshëm:
- Sistemit të Drejtësisë: Të sigurojë që rasti të trajtohet me prioritet, duke ofruar mbrojtje për viktimën dhe duke marrë masa edukative dhe rehabilituese për kryeset e veprës, konform Kodit të Drejtësisë për të Mitur. Është jetike që sistemi i drejtësisë të dërgojë një mesazh të qartë se dhuna nuk do të tolerohet në asnjë formë.
- Institucioneve Arsimore: Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtorive Komunale të Arsimit, veçanërisht asaj në Gjilan, t’i rrisin dhe intensifikojnë mekanizmat për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla. Nevojiten urgjentisht programe psiko-sociale më funksionale, shtim i numrit të psikologëve dhe pedagogëve në shkolla, si dhe trajnime të vazhdueshme për stafin mësimdhënës për identifikimin dhe menaxhimin e rasteve të bullizmit.
- Qendrave për Punë Sociale: Të ofrojnë mbështetje të menjëhershme dhe afatgjatë psiko-sociale për viktimën për të tejkaluar traumën e përjetuar. Njëkohësisht, të punohet intensivisht me fëmijët që kanë ushtruar dhunë dhe familjet e tyre për të kuptuar dhe adresuar shkaqet e sjelljes së tyre agresive.
- Prindërve dhe Familjes: Të rrisin vigjilencën dhe komunikimin me fëmijët e tyre. Familja është bërthama e parë ku fëmija mëson për respektin, empatinë dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve. Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave të dhunës, si tek fëmijët që mund të jenë viktima, ashtu edhe tek ata që mund të jenë ushtrues të saj.
- Medias dhe Shoqërisë Civile: Të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e opinionit publik për dëmet e bullizmit dhe promovimin e një kulture të zero tolerancës ndaj dhunës, duke ruajtur në të njëjtën kohë privatësinë dhe dinjitetin e fëmijëve të përfshirë.
Instituti për Drejtësi, Edukim dhe Avancim (IDEA) mbetet i përkushtuar dhe vë në dispozicion të plotë ekspertizën e tij për të kontribuar në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe programeve që synojnë krijimin e një mjedisi të sigurt, edukativ dhe gjithëpërfshirës për çdo fëmijë në Kosovë. Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje për veprim kolektiv, sepse mbrojtja e fëmijëve tanë është përgjegjësia jonë më e lartë shoqërore.