Instituti për Drejtësi, Edukim dhe Avancim (Instituti IDEA) në kuadër të projektit “Integriteti në baza gjinore dhe moshore në sportin e Kosovës”, me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot ka organizuar trajnimin me përfaqësuesit e tre Federatave më të mëdha sportive në vend, respektivisht Federatën e Futbollit, Federatën e Basketbollit, Federatën e Hendbollit si dhe Komitetit Olimpik lidhur me sponsorizimet e sportit në Kosovë. Në këtë takim është diskutuar për trendin e sposorizimeve gjatë periudhës 2021-2024 në sport duke bërë idenfikimin e dallimeve gjinore dhe moshore.
Raporti i cili pritet të publikohet së shpejti nga Instituti IDEA është mirëpritur nga të pranishmit të cilët kanë deklaruar se ky hulumtim do të jetë udhërrëfyes për bordet e tyre dhe anëtarësinë e federatave sa i përket orientimit të sponsorëve dhe informacioneve në raport me rrethanat në të cilat operojnë sportistët në Republikën e Kosovës. Për katër vite, rreth 50 milionë euro sponsorizime janë investuar në sportin kosovar. Por, nga të pranishmit janë theksuar edhe ankesa se jo të gjitha mjetet përfunduan në destinacionin e duhur. Po ashtu, të pranishmit, kanë shprehur edhe sfidat me të cilat ballafaqohen federatat dhe vërejtjet e tyre të cilat kryesisht kishin të bëjnë me procedurat byrokratike dhe mungesën e konsideratës për rastet specifike sportive.
Një brengë tjetër e shpalosur gjatë këtij takimi ishte se ekzistojnë raste kur sponsorët pasi që janë pajisur me vërtetimet përkatëse nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), nuk i kanë kryer obligimet ndaj klubeve të ndryshme. Një veprim i tillë e deformon edhe pasqyrën e sponsorizimeve nga MKRS ngaqë, sipas përfaqësueve të federatave sportive, klubet nuk i kanë marrë të gjitha mjetet financiare të destinuara për ta. Këto të gjetura, po ashtu, do të përfshihen në raportin final të Institutit IDEA.
Ndërkohë, Instituti IDEA gjatë këtij hulumtimi ka konstatuar se për rreth 30 vjet, që nga viti 1991, sporti i Kosovës është financuar në mënyrë jo të strukturuar, kryesisht nga firma private, më shumë në formë të donacioneve dhe bamirësisë, sesa marketingut ose sponsorizimit, sipas modeleve evropiane.
Instituti IDEA do të realizojë edhe takime dhe trajnime të tjera me të gjithë hisedarët e industrisë sportive, më qëllim të grumbullimit të informatave kthyese dhe vërtetimit të fakteve dhe gjendjes në terren.